Ju kam premtuar që kjo recetë do ishte në blog më shumë se një muaj më parë, por shumë gjëra ndodhën ndërkohë (të bukura për fat të mirë) dhe nuk gjeta kohën e mundësinë ti postoja. Do pres dhe pak para se të ndaj çka ka ndodhur me detaje, pasi besoj se zhvillimet e reja do ndikojnë shumë edhe tek zhvillimet e Mandarina, ndërkohë që recetën mund ta shijoni që tani.
Këto biskota me tërshërë janë kaq të thjeshta e në të njëjtën kohë super të shijshme. Unë kam shumë qef ti mbuloj me çokollatë për të shtuar një shtresë tjetër shije, por kjo është opsionale, pasi edhe pa çokollatë janë shumë të mira. Recetën mund ta dyfishoni lehtësisht, e ti shijoni këto biskota gjithë javës ose ti ndani me miqtë.
Biskota krokante me tërshërë
Ingredients
Përbërësit
- 1 kupë tërshërë e shtypur
- ¼ kupë miell
- 1 vezë
- 100 g gjalp
- ½ kupë sheqer kaf
- 1 lugë çaji (tsp) fryrës për ëmbëlsira
- 2/3 kupë miks frutash të thata dhe farash (arra, bajame, lajthi, fara luledielli, fara kungulli, fara susami etj)
- 1 lugë çaji (tsp) kanellë
- 100 g çokollatë (opsionale)
Instructions
Përgatitja
- Parangrohni furrën në 180 C.
- Përgatisni një tepsi të madhe me letër pjekjeje dhe lëreni mënjanë.
- Shkrini gjalpin dhe lëreni mënjanë.
- Shtoni sheqerin te gjalpi i shkrirë dhe rriheni mirë.
- Shtoni vezën dhe vazhdoni ta rrihni përbërjen.
- Shtoni tërshërën, miellin, kanellën dhe fryrësin për ëmbëlsira dhe miksojeni.
- Shtoni frutat e thata dhe farat dhe miksojeni përbërjen sërish.
- Përdorni një lugë akulloreje ose 2 lugë gjelle për ti dhënë formë biskotave.
- Vendosini në tepsi larg njëra-tjetrës pasi hapen gjatë pjekjes.
- Piqini në furrën e parangrohur për 8-10 minuta.
- Lerini të ftohen plotësisht para se ti mbuloni me çokollatë.
- Shkrini çokollatën në banjo-mari dhe mbuloni çdo biskotë me çokollatë.
- Lërini deri sa çokollata të jetë forcuar dhe shijojini.
Lini një Përgjigje