Ashure – receta më e thjeshtë që do të gjeni

Share

Ashurja është një ëmbëlsirë tradicionale me origjinë lindore që gatuhet edhe në Shqipëri. Historia që mban pas është shumë e vjetër dhe interesante.

Ashurja quhet ndryshe pudingu i Noas. Gjatë rrugëtimit të tij drejt tokës, Noas i kishin mbetur shumë pak përbërës me të cilët duhet të ushqente gjithë kafshët e anijes ndaj ai i bashkoi të gjithë përbërësit e mbetur dhe gatoi një puding. Rezultati është ashurja, një gatim shumë i shijshëm, i ushqyeshëm dhe që të lë liri ta përshtasësh sipas shjeve.

Receta orijinale kërkon shumë përbërës, lloje të ndryshme bishtajoresh si fasule e qiqra, lloje të ndryshme drithërash si misri e gruri, fruta të thata të shumëllojshme si arra, bajame, lajthi, fruta të fresketa si mollë, ftua, dardha, fruta të thara si kajsitë e thara, fiku i thatë, hurmat e arabisë, rrushi i thatë si dhe erëza nga më të ndryshmet si kardamomi, karafili, arra e moskatit e kanella.

Ndërkohë në familjen time ashurja është gatuar tradicionalisht shumë thjeshtë. Ne përdorim vetëm grurë, arra, e aromatizojmë me kanellë dhe shtojmë pak niseshte misri për ta trashur.

Receta është shumë e thjeshtë e me të bëhet një sasi e madhe ashureje, e cila duhet ndarë me personat e dashur, miqtë, familjarët, fqinjët.

Mua më pelqen ta ndaj në kavanoza të vegjël, pasi kështu jo vetëm transportohet më thjeshtë, por duket edhe shumë bukur.

Përbërësit

  • 1 & ½ kupë grurë
  • 1 & 1/3 kupë sheqer kaf (mund të shtoni deri në 1 & 2/3 në total nëse e preferoni më të ëmbël)
  • 8 kupa ujë
  • 1 kupë arra të copëzuara
  • 2 – 5 lugë gjelle (tbs) niseshte misri në varësi të sa të mpiksur e preferoni ashuren
  • Ujë mjaftueshëm për të lënë grurin në ujë gjatë natës (rreth 3 kupa)
  • Kanellë pluhur dhe arra dhe fara për ta shërbyer

Shënim : 1 kupë – 1 filxhan/gotë me volum 240 ml

Përgatitja

  1. Lëreni grurin në ujë për rreth 6 -12 orë.
  2. Hiqeni grurin nga uji dhe derdheni ujin e mbetur.
  3. Vendoseni grurin në një tenxhere të madhe bashkë me 8 kupa ujë dhe vendoseni të ziej.
  4. Ziejeni përbërjen deri sa gruri të zbutet, por jo të jetë totalisht i shpërbërë. Mua mu desh rreth 30 minuta, por koha mund të ndryshojë në varësi të grurit që përdorni.
  5. Në këtë pikë shtoni sheqerin dhe vazhdoni ta zieni për 5-10 minuta të tjera.
  6. Përbërja duhet të jetë trashur disi.
  7. Bashkoni niseshten me disa lugë gjelle ujë deri sa të formohet një përbërje e lënget disi e trashë. Këtë përbërje shtojeni ngadalë te përbërja e grurit duke e përzier vazhdimisht në mënyrë që të mos formohen kokrriza.
  8. Pasi e keni shtuar gjithë niseshten e tretur në ujë lëreni të ziejë për 5-10 minuta të tjera.
  9. Zhvendoseni nga zjarri dhe shtoni arrat e copëzuara.
  10. Lëreni të pushojë në tenxhere edhe për 10 minuta të tjera e ndajeni në enët që do ta shërbeni.
  11. Pasi të jetë ftohur plotësisht mbuloni secilen prej enëve dhe vendoseni në frigorifer për disa orë.
  12. Para se ta shërbeni shtoni sipër kanellë dhe arra ose fara të pjekura pak.

Recetat e Mandarina në email-in tuaj

Vendosni adresën e email-it tuaj për tu regjistruar.

Lini një Përgjigje